Pas shortit, Lorik Cana ka një këshillë për Kombëtaren: Dëgjojini mirë kritikat e tifozëve, pa ata…

4 muaj më parë
Pas shortit, Lorik Cana ka një këshillë për Kombëtaren: Dëgjojini mirë kritikat e tifozëve, pa ata…

Lorik Cana ka folur për shortin e hedhur për Europianin 2024. Ish-kapiteni legjendar i kombëtares shqiptar komentoi goglat që ishin fatsjellëse për kuqezinjtë.

Grupi E, është relativisht i lehtë. Dhe për këtë, Cana shprehet se ka shanse të vërteta për Shqipërinë që të kualifikohet. Në një lidhje me “Ora Sport”, ish-mbrojtësi u shpreh:

“Duhet me pa nëse ka ndonjë Lorik që luan ende futboll. Ka qenë një në Kosovë, por s’e di a është në nivel akoma. Unë jam goxha prezent dhe vijoj të jem në sytë e shqiptarëve përmes Champions League. Jam tërhequr pak, por futbollin e ndjek me shumë pasion, veçanërisht për ekipin kombëtar.

Shorti? Tani duhet të jem siç e ndjej, ku jemi ne si ekip për momentin. Nuk kemi qenë shpeshherë në vazon e tretë. Kjo është një arritje dhe s’është pak. Shmangëm një superfuqi dhe kemi një ekip për të lënë pas nesh. Jemi në një situatë që s’kemi qenë kurrë më parë. Shmangëm Italinë, Spanjën, kroatët, belgët. Në vazon e dytë, Francën… Është diçka që të jep shumë shpresë. Ekipi ynë ka mundësi. Polakët janë favoritë. Sot për sot, Çekia ka diçka më shumë se ne. Por, nuk ka një diferencë të madhe. Skuadra jonë ka shanse të mëdha për të qenë pjesë e një kompeticioni të tillë madhor, por pa presion.

Kombëtarja? Unë kam 6 vite që jam larguar nga ekipi kombëtar dhe jam larg ambientit. Kam takuar dhe ritakuar shumë lojtarë. Vijoj të jem afër me Hysajn, Berishën apo dhe Kumbullën. Ka pasur shumë futbollistë të rinj që janë afruar. E vetmja gjë që mund t’iu them, është thjeshtë që duhet të reflektojnë se çfarë presin tifozët. Ne kemi një publik që e njohin mirë futbollin.

Secili prej lojtarëve të japë maksimumin. Gjithë projekti do të jetë i vendosur te këta lojtarë që kanë qenë në këtë edicion. Unë besoj me koherencë në projekt dhe shumë besim, besimin individual dhe pastaj kolektiv. Unë mendoj se Shqipëria ka një shans shumë të mirë për të qenë aty”, tha ai.