Personazhi i njohur dhe i respektuar nga të gjithë rikthehet në bjeshkët e Kukësit: Kam kullotur për 17 vite bagëtitë

9 muaj më parë
Personazhi i njohur dhe i respektuar nga të gjithë rikthehet në bjeshkët e Kukësit: Kam kullotur për 17 vite bagëtitë

Është ngjitur pas shumë vitesh në bjeshkë, aty ku ka kaluar një pjesë të jetës. Është frymëzuar nga puna e barinjve. Rapsodi i mirënjohur Rexhep Kovaçi prej vitesh këndon një nga perla burimore të folkut, Këngën e Çobanit.

“Kam qenë shumë i vogël në klasë të katërt dhe shkoja në festa dhe nëpër dasma e kam dëgjuar kur e këndonte Sulë Agushi. E kam regjistruar në mendje dhe e kam mësuar për dy ditë. E kam përpunuar dhe e ngrita në stadin e duhur. Edhe Çesk Zadeja e ka vlerësuar ka thënë që është këngë e pazëvendësueshme dhe ka krahasuar me “Bareshën” e Nexhmije Pagarushës. Duhet të ngelet se bëhet fjalë për bagëtitë, për çobanin që ka lënë familjen dhe ka dalë për muaj të tërë në bjeshkët”, thotë Rexhep Kovaçi.

Rapsodi është ftuar në “Festën e Çobanit”, që organizohet çdo vit në muajin shtator në lëndinat e Koretnikut të cilat ndodhen 1.700 metra mbi nivelin e detit.

“17 vjet rresht kam dalë në bjeshkë dhe kam qënë me bagëti. Më ka ngjallur nostalgji të veçantë, sot. Mos ta harrojnë këtë festë qindra vjeçare”, u shpreh Kovaçi.

Në këto lëndina barinjtë ngrejnë stane dhe qëndrojnë gjysmën e vitit. Ushqimi për dhentë e dhitë është i bollshëm. Besmiri, Fatriu e Sallahi janë rritur në stane. Mbarshtojnë nga 150 deri 400 të imta.

“Kemi 450 dhe 12 lopë tek stani. Nuk e kam lënë traditën. Rrimë në stan deri sa bie bore.” “Kam provuar shumë zanate por jam përshtatur me këtë punë.”

Thonë se kanë shumë vështirësi për shitjen e produkteve blegtorale pas në zonë nuk ka baxho.“Për ata, që rrinë në karrige, duket e lehtë, por është punë e vështirë. Në shtëpi i shes produktet, për një rrugë jemi keq, se lëvizim me kalë.”

“Si bulmeti i bjeshkësh s’besoj se gjen kërkund. S’ka baxho, se s’ka rrugë. Po na u bë rruga mund të behët ndonjë.”Qethja e të imtave është simbolika e kësaj feste shekullore e trashëguar brez pas brezi. Për të festuar janë kthyer nga emigracion dhe djem të tjerë, që kanë emigruar, të cilët respektojnë traditën qindra vjeçare të fshatit Thërtore të Kukësit./ Abcnewws.al