Prokuroria e Tiranës nis hetimet për vdekjen e Lear Kurtit

3 muaj më parë
Prokuroria e Tiranës nis hetimet për vdekjen e Lear Kurtit

Prokuroria e Tiranës njoftoi të hënën më 24 tetor se ka nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së 32-vjeçarit Leart Kurti, i cili ndërroi jetë pas shoqërimit nga policia më datë 19 tetor. Në njoftim thuhet se procedimi është regjistruar mbi bazën e referimit të drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për veprat penale “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënie ndihmë” për të ndjerin Kurti nga ana e punonjësve të policisë.

Për këto vepra penale që u atribuohen punonjësve apo funksionarëve shtetërorë, Kodi Penal parashikon dënime nga gjobë deri në shtatë vjet burgim.

Megjithatë, prokuroria nuk ka përcaktuar emra konkretë si përgjegjës për kryerjen e këtyre veprave penale. Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela sqaroi për BIRN se është duke u hetuar fakti, ndërsa nuk ka ende persona nën hetim në këtë moment.

“Deri në këtë fazë të hetimit janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës,” citohet në njoftim dhe sqarohet se janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, shtetasit që kanë qenë të pranishëm me viktimën, si dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.

Sipas organit të akuzës, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej pesë ekspertësh, i cili ka konstatuar se në mbetjet e qeses së gjetur në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të kokainës.

Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Çela bëri gjithashtu me dije janë në pritje të përgjigjes së ekspertimit toksikologjik që do të përcaktojë nëse në trupin e të riut ka gjurmë të lëndëve narkotike.

Prokuroria shton se në funksion të hetimit do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti, si dhe veprime të tjera me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së të riut.

Më datë 20 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dha dy njoftime për shtyp lidhur me vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurti. Sipas kësaj agjencie, pak para mesnatës së të mërkurës më 19 tetor, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në rugën “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kanë vlerësuar se gjendej në kushtet që diktonin nevojën e një verifikimi. Kur efektivët i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, i riu është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme për të ndaluar.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Kurti ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, por ky version kundërshtohet nga të afërm dhe miq të viktimës, të cilët akuzojnë policinë për ushtrim dhune.