Putin 500 mijë euro për Lulzim Bashen, SHBA zbulon lidhjet e Partisë Demokratike

2 javë më parë
Putin 500 mijë euro për Lulzim Bashen, SHBA zbulon lidhjet e Partisë Demokratike

Rusia dhe Vladimir Putin ka dhënë fshehurazi më shumë se 300 milionë euro që nga viti 2014 për të forcuar politikanë në më shumë se 24 shtete të botës, përfshirë Shqipërinë, sipas Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfundimi doli bazuar në një raport të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, të publikuar të martën. Inteligjenca amerikane nuk ka specifikuar shtete apo zyrtarë që besohet se kanë qenë cak i Rusisë. Por, sipas burimeve të agjencisë së lajmeve AFP, një nga to është Partia Demokratike në Shqipëri.

Sipas raportimit, Rusia ka shpenzuar rreth 500 mijë dollarë për ta mbështetur këtë parti në zgjedhjet e 2017-s në Shqipëri. Financime thuhet se ka bërë edhe në Bosnje, Mal të Zi e Madagaskar.

Një zyrtar i lartë nga administrata e presidentit Joe Biden ka thënë se mendojnë se kjo është “vetëm maja e ajsbergut”. Rusia nuk ka komentuar raportimet publikisht. Moska në vazhdimësi ka akuzuar SHBA-në për ndërhyrje.

Burimi ka shtuar se Kremlini ka përdorur Brukselin si urë për fondacione dhe për të mbështetur kandidatë të ekstremit të djathtë. Thuhet se Rusia përdorte kompanitë fiktive për të financuar partitë evropiane dhe për të blerë ndikimin në vende tjera.

Siç ka shkruar Zëri i Amerikës, viti 2017, emri i PD-së dhe shifra prej gjysmëmilioni dollarësh, përkojnë me hetimet që ishin hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së, bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” pati raportuar se i ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma “Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh. Dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për “Muzin Capitol”, revista amerikane Mother Jones vinte në pah dyshimet se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentesh ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.