Rama: Mos paguani 30 mijë paund në Angli, por investoni në Shqipëri

7 muaj më parë
Rama: Mos paguani 30 mijë paund në Angli, por investoni në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama nuk e sheh me problem të madh braktisjen e Shqipërisë. Largimi i shqiptarëve shpesh i duket edhe si ngjarje tek “Al Pazari”, jo në realitetin e vendit tonë të dashur.

Teksa foli për emigrantët që shkojnë në Britaninë e Madhe, Rama tha se me 30 mijë paund në Shqipëri mund të investosh në agroturizëm dhe mund të fitosh më shumë se në Angli.

“Mos e ndërmerrni atë rrugë, sepse do të jetë gjithmonë e më e vështirë, do të jetë gjithmonë e më e kushtueshme. U duhet të paguajnë shuma marramendëse atyre që u marrin”, tha Rama.

“Nga ana tjetër, dëshiroj t’ju them se Shqipëria nuk ka sesi t’iu ofrojë as kushtet e Gjermanisë dhe as kushtet e Britanisë, por ofron mundësi për ata përmes punës duan sukses”, shtoi kryeministri.

Të harxhosh 30 mijë paund për të paguar traf.ikantë, ndërkohë që me 20-30 mijë paund dhe me një mbështetje të qeverisë ti mund të ndërtosh një agroturizëm te shtëpia e gjyshit tënd, në Kukës, në Has dhe aty mund të bësh më shumë para se edhe në Britaninë e Madhe”, tha Rama.

“Atje mund të përfundosh në ferr. Nuk kemi një parajsë për t’ia ofruar askujt, por kemi vullnetin që Shqipërinë ta bëjmë më të mirë”, përmbylli kryeministri ynë, i cili pas 9 viteve në pushtet, para ca ditësh zbuloi një pallat në mes të Tiranës që ishte bërë pa leje.

E vërtetë. Shqipëria nuk të ofron shumë, ama të lejon që të bësh pallat pa leje dhe të mos përfundosh në qeli. Nëse bën kotec pulash, atëherë… e lëmë si temë.