Rama zbulon shtetin që futi hundët në të dhënat e shqiptarëve: Largohuni për 24 orë!

9 muaj më parë
Rama zbulon shtetin që futi hundët në të dhënat e shqiptarëve: Largohuni për 24 orë!

Qeveria shqiptare ka vendosur të ngrijë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas ndërhyrjeve kibernetike që shënjestruan faqet e qeverisë shqiptare në korrik. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u bë i ditur nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Përmes një videomesazhi në Facebook, kryeministri bëri me dije se pavarësisht se sulmi ishte i rëndë nuk ia arriti qëllimit. Ai bëri me dije se dolën prova të pakundërshtueshme se prapa këtij veprimi fshihet Irani.

Për këtë janë informuar aleatët strategjikë dhe partnerët e NATO-s, ndërsa qeveria shqiptare i ka lënë 24 orë afat ambasadës islamike për tu larguar nga vendi.

Rama tha: “Irani nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e tij, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u fshi pa kthim. Për javë të tëra u punua paralelisht, ditë-natë”.

“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se ky akt mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura, por veprim shtetëror”.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se ky akt është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe”.

“Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme”.