Djali i legjendës ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare, Rudi Vatës, Roko, po shkëlqen me të rinjtë e Sëlltikut, ku së fundmi ka luajtur dhe në Ligën e Kampionëve për të rinj.
Së fundmi, për 17-vjeçarin kanë ardhur disa interesime nga gjigantët e Europës. Siç raportojnë mediat irlandeze, Liverpuli, Çelsi dhe Reali i Madridit janë vënë në gjurmët e Vatës dhe do tentojnë që të bindin Sëlltikun për ta transferuar sa më shpejtë.
Vata gjithashtu ishte pjesë e listës me lojtarët më të mirë që kanë lindur në vitin 2005. Ai ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar një asist në 14 takime që ka zhvilluar këtë sezon në të gjitha kompeticionet.
Ndaj nuk është aspak rastësi që portali i njohur për evidentimin e talenteve, “Football Talent Scout”, e ka përzgjedhur Vatën mes 40 futbollistëve më premtues të datëlindjes 2005.
Vata, një mesfushor ofensiv, ka bindur ekspertët e këtij portali të njohur dhe që ka shpjeguar disa nga karakteristikat e futbollistit si shumë shpresëdhënëse për të ardhmen e tij.
“Roko ka një sy për golin dhe ka tregar se ka finalizim të akullt në çdo pozicion në fushë. Ai ka një gjuajtje nga distanca të mirë në bagazhin e tij, siç e ka treguar në disa raste. Përveç kësaj, ai ruan qetësinë para portës pasi mund të finalizojë edhe në kënde të ngushta dhe nuk shqetësohet në situata një kundër një”, shkruhet ndër të tjera në vlerësimin e kësaj faqeje për Vatën.