Reja nuk e ftoi sërish, lojtari shqiptar e përshëndet me golin e radhës në Angli (video)

1 javë më parë
Reja nuk e ftoi sërish, lojtari shqiptar e përshëndet me golin e radhës në Angli (video)

Mesfushori shqiptar, Anis Mehmeti, ka shkëlqyer sërish me Uajkombin në “League One” në Angli, me një gol fantastik, përballë Derbi Kauntit.SHIH VIDEON

Në minutën e 15’, 21-vjeçari mori një top në krahë dhe mjaft bukur arriti të kalonte dy lojtarë dhe më pas lëshoi një gjuajtje me të djathtën, me portierin që nuk arriti dot ta ndalte.

Gjithsesi ky gol nuk shërbeu që skuadra e tij të dilte me pikë nga kjo transfertë, pasi Derbi arriti të përmbyste çdo gjë në pjesën e dytë.

Ky është goli i pestë për mesfushorin shqiptar në 9 ndeshje në kampionat, duke i dërguar një mesazh trajnerit të Kombëtares, Edi Reja, i cili nuk e ka grumbulluar sërish për dy sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve.

Ndërkohë në konferencën e sotme për shtyp të Rejës, trajnerit italian i ka mbërritur një pyetje nga Drilon Xhepollari nëse e njihte këtë element.

“Kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme, nuk dua të bëj shumë eksperimente. Kërkoj të ruaj ekuilibrat e grupit dhe nuk dua të grumbullojë shumë lojtarë, pasi disa prej tyre do të përfundonin në tribunë më vonë dhe kjo nuk është gjë e mirë”, u shpreh Reja duke e lënë debutimin e Mehmetit për ndeshjet e tjera, nëse do të vazhdojë të mbajë këtë ritëm.