Reja tregon “gabimin” që bëri ndaj Izraelit: Ndërrova skemën për hir të këtij lojtari

4 muaj më parë
Reja tregon “gabimin” që bëri ndaj Izraelit: Ndërrova skemën për hir të këtij lojtari

Trajneri i Shqipërisë, Reja, ka dhënë një intervistë për “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Fillimisht u prek tema e Armando Brojës, teksa tekniku i Kombëtares u shpreh se lojtari i Chelsea është si drita që herë fiket dhe herë ndizet, pasi nuk ka luajtur kurrë për 90 minuta me ekipin e tij në Premier League. Gjithashtu është folur jo pak për aventurën në Ligën e Kombeve dhe të ardhmen, pa harruar raportin me kreun e FSHF, Armand Duka.

“Ne flasim pas çdo ndeshje dhe përsërisim të njëjtat gabime individuale që na ndodhin. Pësojmë gola nga gabime të tilla, në minutat e fundit. Është e pabesueshme dhe e çuditshme. Gabuam ndaj Turqisë më parë kështu, kemi gabuar edhe kohët e fundit u ndëshkuar në minutat e fundit të takimit.

Ndeshja me Izraelin? Kisha probleme në mbrojtje dhe ndërrova skemën. Ndërrova skemën për t’i dhënë mundësinë Asllanit dhe Bajramit që të luanin ashtu si kanë luajtur te Empoli. Por nëse do të kthehesha prapë pas në kohë, do ta nisja me 3-5-2.

Kritikat? I kuptoj gazetarët, gjithmonë kam qenë i komunikueshëm me ta dhe i qetë në dhënien e përgjigjeve. Por kur mbyllet një ndeshje dhe që në pyetjen e parë të thonë: “Trajner, a do të largohesh nga Shqipëria tani?”, unë realisht nuk e kuptoj se çfarë pyetjesh janë këto.

Sigurisht, e kuptoj edhe unë pozicionin tuaj, pritshmëritë tuaja. Por kur mbyllet një ndeshje, në plan të parë është ajo që ndodhi me ndeshjen, me rezultatin. Ndërsa e ardhmja e trajnerit është dytësore.

Lojtarët e rinj duhet të sakrifikojnë më tepër për Kombëtaren, duhet të jenë kokëulur dhe të punojnë më shumë gjatë seancave stërvitore, pastaj edhe në ndeshje. Raportet me Dukën? Me presidentin jemi në raport shumë të mirë. Presidenti do rezultatet dhe këto nëse nuk janë të mjaftueshme, do bëjë zgjedhje tjetër, do ndërrojë trajner. Pavarësisht gjithçkaje, respekti do të mbetet.

Të presim fundin, ka kohë deri në mars, për të folur për trajnerë të tjerë. Të lëmë trajnerin të kryejë punën e tij dhe më pas të shikojmë. Kam qenë mirë aty, kam konsiderata nga njerëzit. Tregojnë respekt për mua. Nëse do mungonin këto konsiderata, nuk do isha te Shqipëria”, tha Reja.