Edi Reja ka folur për “Lazio Style Radio” për bashkëpunimin e tij me Shqipërinë dhe për nostalgjinë që ndjen për Lazion. Kontrata e tij me Kombëtaren skadon këtë vit, por duket se trajneri italian nuk po mendon për largimin. Reja pranon se do të vazhdojë të punojë për aq kohë sa ndihet mirë dhe e do atë që bën.
“Unë vazhdoj për aq kohë sa jam mirë. Në Shqipëri punoj shumë, por nuk është si të stërvitësh një ekip klubi që duhet të jesh çdo ditë në fushë. Është më pak e lodhshme. Kur e doni atë që bëni, është mirë të vazhdoni ta bëni atë.
Lazio? Më ka mbetur në zemër, është një nga skuadrat e pakta që shoh çdo javë. Edhe mua më pëlqen ta shoh atë. Herë pas here e ripërjetoj golin e Kloses në derbin në minutën e 93-të dhe ende emocionohem. Më vjen keq që nuk munda t’i dërgoja bardhekaltrit në Champions League, shkuam shumë afër”, ka deklaruar Edi Reja.
Shorti i fazës eliminatore të Euro 2024 vuri Shqipërinë në grupin E. Kuqezinjtë do të kenë kundërshtarë Poloninë, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë. Trajneri Edi Reja komentoi për SuperSport shortin dhe rivalët e Shqipërisë, ku ndër të tjera deklaroi:
“Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me ta. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.
Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar.
Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet e ndeshjeve të fundit. Kontrata? Presidentin këtu e keni. Në fillim të përfundojë kontrata që kam, më pas do të ulemi të bisedojmë me presidentin. Për momentin duhet të punojmë, të mbyllim kontratën që kemi dhe më pas do të flasim për të ardhmen”, deklaroi italiani Reja.