Filmat që u prodhuan nga ish Kinostudio nuk duhet të ndalohen, janë pjesë e historisë dhe tregojnë edhe vlerat artistike dhe kulturore. Populli ynë i do dhe kjo është e rëndësishme.
Debati për ndalimin e filmave që janë realizuar gjatë kohës së komunizmit ka përfshirë regjisorë, aktorë, studiues të ndryshëm, etj, të cilët pohojnë se nuk mund të censurohet ajo prodhimtari e para viteve ’90.
Dy aktorët e njohur Robert Ndrenika dhe Sulejman Dibra për prodhimtarinë në kinemanë e para viteve ’90 shprehen se janë kundër censurimit të tyre. Aktori i teatrit dhe i kinemasë shqiptare, Robert Ndrenika pohon se ndërsa po vijon ky debat për shfaqjen e filmave, do të ishte mirë që ato televizione që i transmetojnë të respektonin dhe të drejtën e autorit.
“Filmat e Kinostudios normal që duhet të shfaqen dhe nuk duhet të ketë censurime. Janë filma që kanë historinë e tyre. Filmat të shfaqen dhe vetëm po të jetë e mundur të respektojnë të drejtën e autorit ata që i transmetojnë këto filma.
“Kjo quhet dhe si vjedhje, nëse nuk paguajnë të drejtën e autorit”, pohon mes të tjerave në reagimin e tij aktori i njohur Robert Ndrenika që prek një tjetër problem.
Me dekada pranë teatrit dhe kinematografisë, në filmin shqiptar ka sjellë role dhe personazhe nga më të ndryshimit dhe për kontributin e tij është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Aktori Robert Ndrenika, i cili për rolet e tij ka marrë vlerësime të shumta, në kinematografi ka interpretuar mbi 30 filma, midis të cilëve mund të përmendim “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Bolero” etj.