Rroca nuk merr ftesë as për miqësoren ndaj Arabisë: Ndoshta nuk e dinë që jam shqiptar

2 muaj më parë
Rroca nuk merr ftesë as për miqësoren ndaj Arabisë: Ndoshta nuk e dinë që jam shqiptar

Eduart Rroca ende e pret një ftesë nga kombëtarja shqiptare e futbollit. Kapiten i Istanbulspor në Superligën turke, 29 vjeçari luan sezonin e tretë në Turqi, duke qenë ndër lojtarët më të mirë për të tijtë, teksa dha kontributin e madh në ngjitjen e këtij ekipi në elitë. I lindur në Librazhd, Rroca spikati me Luftëtarin në Shqipëri, për të kaluar më pas te Kukësi. Sezoni i mirë me verilindorët në 2019-20 bëri që turqit të paguanin 325 mijë euro për shërbimet e tij. Menjëherë Rroca spikati në fushë, duke shënuar edhe gola spektakolarë për të merituar shiritin e liderit në krah.

Si ndër lojtarët më të spikatur dhe në formë, Report Tv u interesua për të ditur nëse 29 vjeçari kishte një ftesë nga Kombëtarja. Kuqezinjtë luajnë në 26 tetor miqësoren me Arabinë Saudite, kjo për emrat e rinj që mund të ftohen apo lojtarët që nuk kanë shumë minuta me fanellën e kombit. Për Report Tv, Rroca tregon se askush nuk e ka kontaktuar, duke u ndjerë “i harruar”. “Më duket se nuk e dinë që edhe unë jam shqiptar”, thotë Rroca mes të tjerash.Kujtojmë se te Istanbulspor luajnë edhe Kristal Abazaj dhe Sidrit Guri, me Rrocën që thotë se nuk ka parë vëzhgues nga FSHF për ta. Pak muaj më parë Valon Et’hemi, ish-sulmuesi i Kukësit zgjodhi Maqedoninë e Veriut, ndërsa edhe Jetmir Topalli i Kosovës plotëson “5-çen” shqiptare te Istanbulspor.

Në kuadër të ndeshjes miqësore me Arabinë Saudite në 26 tetor, keni një ftesë nga Kombëtarja? Jo, nuk kam një ftesë. Më duket se nuk e dinë që edhe unë jam shqiptar.

Si është forma juaj pas dëmtimit dhe pse mendoni se nuk e keni një ftesë? Forma tani është e mirë, kam lënë gjithçka pas me dëmtimin. Kam një muaj që stërvitem 100 përqind me ekipin. Kam luajtur në dy ndeshjet e fundit në Superligën turke duke shënuar dhe ndihem mirë fizikisht. Nuk e di ç’të them që mungon një thirrje nga FSHF.

Sezoni i tretë titullar dhe një nga më të rëndësishmit në fushë si kapiten. Në ndeshjet e fundit të Nations League kishte lojtarë me shumë pak minuta në këmbë që ishin pjesë e listës… Është sezoni im i tretë këtu dhe ky është më i rëndësishmi sepse jemi në Superligën turke dhe jam kapiteni i ekipit. Ekipi është duke bërë mirë dhe kemi luajtur ndeshje të mira. Për ftesën e munguar jam mësuar tani. Cdo gazetar më pyet çdo herë që luan Kombëtarja se përse s’të ftojnë. Nuk e di këtë përgjigje, e dinë të tjerët.

Kombëtarja është ëndrra e çdo futbollisti, demoralizoheni që pas paraqitjeve të mira dhe shiritit të kapitenit nuk e keni një ftesë? Normalisht ka pasur dhe raste kur jam mërzitur sepse kurrë nuk eshtë interesuar dikush për mua apo të më telefonojë dikush nga Federata, qoftë edhe një interesim të vogël. Po s’kemi ç’të bëjmë, jeta dhe futbolli vazhdon.

Et’hemi zgjodhi Maqedoninë e Veriut, në dijeninë tuaj ka pasur skautë të FSHF për t’ju ndjekur në stadium? Jo, asnjëherë s’ka pasur skautë të Federatës për të parë ndonjë ndeshje tonën. Kemi luajtur ndeshje të rëndësishme, si përshembull vjet në play-off apo sivjet ndeshje në Superligë. Edhe pse jemi 3 shqiptarë të Shqipërisë në ekip, plus Et’hemin dhe Topallin bëhemi 5 shqiptarë. Askush s’ka ardhur kurrë për të na parë.

A e pret ende Rroca një ftesë për të kontribuar për kombin? Normalisht, çdo njeri e pret deri në momentin që tërhiqet nga futbolli.