Sidrit Mehaj është një nga nxënësit e shkëlqyer të gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër. Ai është shpallur fitues në 10 degët e përzgjedhura për studimet e larta, mes të cilave kryesonte mjekësia.
“Dola fitues në raundin e parë dhe dega ime është Mjekësia e Përgjithshem. Ajo është baza ime”, shprehet Sidriti. Problemi është se, si shumë të rinj të tjerë, ai nuk do të ulet në auditoret e universiteteve shqiptare.
Sidrit Mehaj ka zgjedhur Turqinë për të vijuar formimin e tij në fushën e mjeksisë, duke shpjeguar edhe arsyet e kësaj zgjedhje.
Sidrit Mehaj: “Turqia ka një mjekësi shumë të mirë dhe shquhet për një sistem arsimor cilësor dhe të organizuar. Dhe për faktin se atje besoj se ka më shumë në fushën e kërkimit shkencor”.
Djali nuk di të thotë nëse do të kthehet, pasi kjo do të varet nga rrethanat, por një mesazh e ka për rininë: “Një persona që zgjedh një fushë duhet të punojë shumë për zgjedhjen e tyre. Studentët të mos harrojnë gjuhën dhe vendin e tyre sepse është një pasuri e jashtëzakonshme”.
Nga viti në vit, numri i të rinjve që largohen nga Shqipëria ka ardhur duke u rritur dhe kjo reflektohet në regjistrimet e reja në universitete.
Rreth 7 mijë maturantë kanë aplikuar në Universitetin e Shkodrës, Luigj Gurakuqi në fazën e parë të regjistrimeve. Degët që kryesojnë janë infermieria, juridiku dhe ekonomiku. Por krahasuar me pak vite më parë, sot në këtë institucion arsimor ulen 50% më pak student.