Sa turp! Profesor Kristaqit i vjedhin pensionin! Hajduti është punonjës i shtetit

6 ditë më parë
Sa turp! Profesor Kristaqit i vjedhin pensionin! Hajduti është punonjës i shtetit

Një profesor i njohur i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Kristaq Bërxholli, denoncoi në emisionin investigativ Fiks Fare skandalin e radhës të vjedhjes së pensioneve nga punonjësit e Postës Shqiptare.

Z. Bërxholli, që për vite me radhë ka qenë drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, u ankua se punonjësit i kanë përvetësuar 2 muaj pensionin, me një vlerë 128 mijë lekë të reja. Denoncimi vjen pas publikimit në vijimësi nga Fiks Fare të skandaleve të vjedhjes së pensioneve në zyrat postare në Kavajë, Laç dhe Peshkopi.

Por, në këtë hartë mungonte kryeqyteti! Profesori u ankua se punonjësit filialit të postës në Tiranë, të zyrës përballë Maternitetit “Koço Glozheni”, i kanë marrë pensionin e muajve prill dhe maj 2019. Sipas tij, në vitin 2019, ka pasur një problem shëndetësor dhe ka shkuar në Gjermani te vajza për tu kuruar. “Kam ikur në mars dhe kam ardhur në 16 prill. Më pas, kam ikur në datë 27 prill dhe kam ardhur në vjeshtën e vitit 2021, ku jam kuruar për problemin që kam pasur. Kur kam ardhur, kam kontaktuar me postën për të marrë pensionin. Kam marrë njëherë disa muaj të 2019-ës, ku kam parë se mungonte prilli dhe maji. Në këto dy muaj, shuma ishte rreth 1.2 milionë lekë të vjetra. Kam folur me Postën më kanë thënë se do e rishohin dhe njëherë me muajt e tjerë” denoncoi profesori.

Më tej pohoi se pensioni i shkonte në shtëpi. “E kërkova vetë, pasi posta iku nga lagjja te Brryli dhe shkoi afër Qytetit Studenti. Fola me atë postierin, ja do e rregullojmë. Kam marrë muajt e 2020-ës dhe 2021-shit, por sërish s’kam marrë prillin dhe majin e 2019-ës. Kam bërë ankesa te zyra postare, te Drejtoria e Tiranës, kryeministrit por sërish asnjë masë. Më thonë jo e kemi hequr postierin, e kemi çuar diku, por mua s’më intereson. Dua vetëm pensionin tim! Deri tani vetëm më sorollatin” vijoi z.Kristaq Bërxholli, ndërsa thotë se ka parë faturat e atyre dy muajve, ku nuk është firma e tij.

Pas ankesës, profesori bashkë me gazetarët e Fiks Fare shkon te zyra postare në afërsi të Maternitetit të Ri në Tiranë. Ditën e parë i thonë se nuk është drejtoresha. Shkon edhe të nesërmen dhe takon drejtoreshën. Drejtoresha e zyrës dhe punonjësit i thonë se duhet të interesohet te Drejtoria e Postës së Tiranës, por pasi i thonë se s’kanë mundësi të lëvizin, duan informacion, ajo i thotë se “është e vërtetë që të janë mbajtur ato dy muaj”. Madje, punonjësi ka ikur nga ajo detyrë dhe është transferuar diku tjetër. Drejtoresha i thotë se kanë bërë krahasimet e firmave në të kaluarën dhe të atyre dy muajve. Madje, krahasimet i kanë bërë specialistët e postës ku dolën në konkluzionin se firmat nuk ishin të njëjta. Por, për këto problem duhet të merret Drejtoria e Shërbimeve. Punonjësja i thotë disa herë se korrieri që shpërndante lekët fillimisht është larguar nga detyra e shpërndarjes dhe është çuar në një punë me letra, jo me lekë. Më pas u thotë se e ka referuar rastin te eprorët dhe është në pritje. “Nuk ua zgjidh dot unë, por eprorët e mi” ishte përgjigjja përfundimtare e saj.

Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare u interesua te eprorët e drejtoreshës. Drejtori i Filialit të Postës në Tiranës Shpati Kolgega, në këtë përgjigje thotë se ka pyetur korrierin dhe janë zhvilluar disa takime, madje i kanë vënë në dispozicion profesorit dokumente për ta ndjekur në instanca të tjera. Pyetjes se, a do t’i jepet pensioni z. Berxholli, drejtori na u përgjigj se “nuk është kompetencë e jona ligjore verifikimi i firmës dhe dalja në një përfundim nëse kemi të bëjmë me një falsifikim apo jo, por është e organeve kompetente”.

Më tej pohon se filiali Tiranë i Postës Shqiptare i ka dërguar një kërkesë për verifikim të nënshkrimit Policisë së Shtetit dhe janë ende në pritje të një përgjigje. Fiksi e pyeti drejtorin nëse ka marrë ndonjë masë për punonjësin. Ai na u përgjigj se janë marrë masa ndaj rastit në fjalë dhe deri në një përgjigje përfundimtare punonjësi i përfshirë në këtë situatë është pezulluar.