Sadiku s’ka hequr dorë akoma nga Kombëtarja: Reja s’më ka marrë asnjëherë në telefon

2 muaj më parë
Sadiku s’ka hequr dorë akoma nga Kombëtarja: Reja s’më ka marrë asnjëherë në telefon

Armando Sadiku është një nga kuqezinjtë që ndryshoi skuadër këtë merkato vere. Ai u largua nga Las Palmasi, por nuk ndryshoi shtet dhe kategori. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon pse bëri këtë zgjedhje, çfarë synon sezonin e ri në Ligën e Dytë spanjolle, si dhe pa harruar rikthimin në ekipin kombëtar, gjë që ai e kërkon me ngulm.

Armando përshëndetje! Si kaluat me pushimet? Në fakt, unë pata pak pushime, por ia kalova shumë mirë gjatë tyre me familjen. Pushova në Shqipëri, ishte hera e parë që kaloja pushimet me djalin dhe kështu që jam kënaqur dhe i kam shijuar.

Ndryshuat ekip por jo shtet, qëndruat në Spanjë. Përse u larguat nga Las Palmasi? Nga Las Palmasi nuk kisha dëshirë të largohesha, por kontrata që m’u ofrua dhe ashtu si u krijua situata, trajneri do të më kishte si zgjedhje të dytë, kështu që ishte më mirë të largohesha sesa të qëndroja si zgjedhje e dytë. Synimi im këtë vit është t’i luaj të gjitha ndeshjet, prandaj vendosa që të largohesha nga aty.

Përse zgjodhët ekipin e Kartagjenës? Kartagjena ka pasur interes shumë të madh ndaj meje kur pata shkuar në Bolivi. Unë kisha njohje me drejtorin sportiv të klubit, kishim marrëdhënie shumë të mira dhe gjatë gjithë vitit më shkruante për të më marrë në ekip, derisa erdhëm në një pikë sa edhe gjendja ekonomike arriti aty ku unë doja, prandaj vendosa të mos prisja më gjatë te Las Palmasi. Kartagjena m’i plotësoi të gjitha kushtet edhe për sa i përket anës financiare, është një ekip modest, por unë mund të luaj në të gjitha ndeshjet, për të treguar veten.

Këtë periudhë që ishit lojtar i lirë, mund të na zbuloni ndonjë ekip tjetër të interesuar?
Kisha disa oferta: në Turqi, Greqi, Qipro, Zvicër, por dëshira ime ishte të qëndroja në Spanjë. Jam ambientuar me kampionatin dhe jam përshtatur me çdo gjë. Kategoria e dytë në Spanjë këtë vit do të jetë shumë e bukur, sepse ka ekipe të forta.

Do të keni Uzunin kundërshtar këtë vit, te Granada. Keni kontakte me të? Kemi kontakte, komunikojmë, por nuk është se kam folur për këtë pjesë.

Nuk mund të mos ju pyes për ekipin kombëtar. I keni ndjekur ndeshjet e fundit? Patjetër që po, zgjedhja që bëra te Kartagjena është edhe për ekipin kombëtar, sepse duke luajtur të gjitha ndeshjet këtu, do të tentoj të jem përsëri në Kombëtare

Çfarë tjetër mund t’ju kthejë në Kombëtare dhe për çfarë arsyeje mendoni që nuk thirreni?
Unë nuk kam asnjë problem, Reja nuk më ka marrë asnjëherë në telefon, nuk kemi komunikuar asnjëherë. Në fillim kur ai ka ardhur si trajner, unë e kam kërkuar disa herë për problematika të ndryshme p.sh. gjithmonë unë e kam kërkuar dhe ai asnjëherë. Dëshira ime është shumë e madhe të kthehem në ekipin kombëtar. Skuadra ka shumë elementë të fortë brenda dhe konkurrenca është e madhe. Unë do të mundohem të luaj të gjitha ndeshjet dhe shpresoj të kem një vit shumë të mirë te Kartagjena dhe shpresoj të më thërrasë në Kombëtare.

Përveç trajnerit, keni pasur kontakte me drejtues të tjerë të federatës? Po, kam pasur. Marrëdhëniet i kam shumë të mira me të gjithë drejtuesit, unë thjesht di që trajneri nuk më ka pasur fare në konsideratë, sepse sulmuesit e tjerë kanë qenë më lart se unë. Unë këtë e pranoj, prandaj bëra edhe këtë zgjedhje këtë vit. Shpresoj të shënoj shumë gola dhe të kthehem në Kombëtare, kjo është dëshira më e madhe për momentin. /Burimi: Panorama Sport