AKU-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me anë të një njoftimi, ka bërë me dije të gjithë qytetarët të ndalojnë së konsumuari salsiçet “Wudi” sepse nuk janë në kushte optimale.
Në njoftim bëhet me dije se ky produkt ushqimor pas analizave laboratorike të kryera në Itali, është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55, duke përbërë një situatë me ndikim serioz për shëndetin e njeriut.
Njoftim për Konsumatorin – “Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55”.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu”.
“Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë”, njofton AKU në njoftimin zyrtar për shtyp, të publikuar në rrjetet sociale dhe dërguar mediave shqiptare.
Por një gjë nuk thuhet, tani çfarë ka ndodhur gjithë këtë kohë që shqiptarët e shkretë janë dendur duke e konsumuar këtë produkt?