Shokët merrnin pagure me ujë nga të dashurat, kurse mua më erdhi… më e bukura e klasës!

6 muaj më parë
Shokët merrnin pagure me ujë nga të dashurat, kurse mua më erdhi… më e bukura e klasës!

Që në ditën e parë të shkollës në klasë të parë rrashë në dashuri me të treja:Beneretën,Linditën dhe Elin! Benereta se ishte e zgjuar, e shkathët, e bukur! Linditën se ishte me flokë të verdha, e gjatë, e ëmbël!Elin se ishte… ah Eli ishte si kukull! Pastaj ishte dhe goca e zyshë Balit! E kisha në një bangë!

Unë isha mbrojtësi i saj se ajo ish delikate si lule dorëzonje! Dhe aromën ashtu e kish! Njëherë duke lozur me një mbajtëse lapsash prej druri që zysh Bali e kishte që nga koha e Italisë unë ja theva kapakun. E mbajtëm të fshehur poshtë bangës dhe kur zysh Bali u fut në mbledhje me nëndrejtoreshën unë e mora në shtëpi Elin dhe u përpoqa t’ja ngjisja kapakun e kutisë me marmalatë molle! Ajo u mërzit shumë se kapaku nuk u ngjit!

Ajo qante, unë qaja pse qante ajo! Jo për kapakun që ish si vizore. Pastaj Elin e vishte zysh Bali si kukull! Vetëm klasën e parë e mbajti zysh Bali në shkollën tonë në Kinostudio! Pastaj e çoi tek Kongresi i Përmetit! Kur ajo nuk erdhi ditën e parë të klasës së dytë unë e kisha qef prap Beneretën dhe Linditën por jo si Elin! Eli ishte ëndrra! Ishte kukulla e gjallë!

Kur vajta në gjimnaz në oborrin e shkollës tek “Sami Frashëri” e pashë Elin! Ishte zonjushë e vërtetë! Ramë në dy klasa të ndryshme. Mua më dukej sikur isha në shkollë me motrën! Njëherë, ishim në vit të tretë, dhe afër kalasë së Petrelës ne djemtë po bënim kros 5 km me armatime kallashnikov dhe çantën ushtarake mbi shpinë! Ishte shumë e vështirë të kapje kohën për notën dhjetë por nota më e ulët të prishte mesataren. Shokëve gjatë vrapit u dilnin para të dashurat dhe i zgjasnin paguret e tyre me ujë!

Mua më doli Eli! Ia rrëmbeva nga dora dhe… ishte reçel! Reçeli të jepte fuqi për të vrapuar më shpejt! Vjet për fillimin e shkollës bëra një status në facebook dhe kujtova zysh Balin. E në fund pyeta miqtë e shokët në dinin gjë në ish gjallë apo jo. Një mbesë e burrrit mu përgjigj se zysh Bali kish vdekur me një dhimbje të madhe në shpirt! Se përpara saj në Amerikë kish nderruar jete edhe… Eli! Eli e bukur si kukull! Nuk dua ta besoj por gjithë ajo heshtje e gjatë…akull e ftohtë!

(Në foto zysh Bali me Elin përpara saj pa përparëse, Lindita në krah të majtë, Benereta poshtë me dorën tek kopsat e përparëses dhe ai djali me trëndafil tek hunda në rreshtin sipër të djemve jam unë! Kush tjetër?!) 16 shtator 2019, shkruar nga ILIR KADIA