Kombëtarja U-20 do të nisë të dielën grumbullimin për t’u përgatitur për dy ndeshjet miqësore ndaj Kroacisë U-20 dhe Maqedonisë së Veriut U-20.
Trajneri Alban Bushi ka shpallur ndërkohë listën me emrat e 26 lojtarëve të ftuar për këto dy sfida me pjesën më të madhe të cilët aktivizohen në klube të huaja, ndërsa 9 prej tyre luajnë me klube të kampionatit shqiptar.
Baza e grupit janë lojtarë që bëjnë pjesë në Kombëtaren U-21 dhe U-19, ku spikatin emra si Mario Mitaj, Adrion Pajaziti, Medon Berisha, Eljon Toçi, Marcelino Preka, etj.
Kujtojmë që dy futbollistët, Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha vetëm disa ditë më herët konfirmuan largimin nga Përfaqësuesja e Kosovës U21 për t’iu bashkuar kuqezinjve.
Kryetari i tifozëve “Dardan”, Lulzim Berisha, nuk përmbahet duke hedhur akuza, ai i ka quajtur tradhtar. “Adrion Pajaziti i Fulham U-21 dhe Medon Berisha i Lecce, tradhtuan Kosovën. Tradhtuan shtetin e prindërve dhe paraardhësve të tyre.
Ata kanë qenë pjesë e projektit të Kosovës U-21, por tani i kuptojmë disi, sepse tradhtari lind, mashtron dhe asgjë nuk zgjedh për t’i shty përpara interesat e ngushta. Tradhtarët si këta shesin dhe shkelin në gjithçka. Prenë në besë. Tradhtojnë në fjalë. Janë njerëz të ligë. Nëpërkëmbin nder dhe besë. Këta janë të pabesë”, ka shkruar mes të tjera Berisha në profilin e tij në facebook.
