“Shqipëria një anije që po mbytet”, del parashikimi i Erion Kristos që para 6 vitesh

8 muaj më parë
“Shqipëria një anije që po mbytet”, del parashikimi i Erion Kristos që para 6 vitesh

Lexoni intervisten time te botuar para gjashtë (6) vitesh te gazeta Telegraf nga gazetari Gjergji Koja.
1. Zoti Kristo si ndjeheni kur dëgjoni se mes politikanëve shqiptarë janë “infiltruar” persona që kanë pasur probleme me ligjin?

Unë ndihem si gjithmonë: keq. Ka vite që politika shqiptare është kriminalizuar, po tashmë krimi po politizohet. Kjo është risia. Pasi kanë vite që i japin pushtet të pamerituar klasës politike, me të drejtë tashmë kriminelët me damkë ndërkombëtare kërkuan dhe arritën përfaqësim politik. Ishte krejt e natyrshme. Po kjo gjë kaq e natyrshme për ne nuk është e natyrshme as në Kolumbinë e famshme të drogës. Aty Eskobari u përjashtua nga parlamenti…

2. E kishit menduar ndonjëherë që 26 vite pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, sot do të kishte kryebashkiakë apo politikanë në nivele të ndryshme që të kishin ndryshuar identitetet apo të përdornin disa të tillë, për shkak të problemeve të tyre në të shkuarën?

Po ne e kemi deklaruar përpara se këto ngjarje të ndodhnin, që shumë njerëz të kërkuar nga Interpoli po merrnin mandat përfaqësimi nga politika. Jemi një shoqëri tejet e kriminalizuar. Krimi sundon ekonominë. Është e pritshme që të shkojë edhe më tej, deri tek paprekshmëria e mandatit politik. Si një vend anëtar i NATO-s, duhet të kjo çështje të gjykohet në organizmat përkatës.

3. Nëse do t’ju duhej t’i bënit një vlerësim me notë anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, si do t’i vlerësonit?
Mund të duket si mendjemadhësi, por është procedurë normale, disa studentë nuk i fus fare në provim për shkak të mungesave. Pra, ata nuk kanë as shansin të vlerësohen. Kabinet i dobët. Performon vetëm për syrin, jo për mendjen, as për stomakun e shoqërisë. Kurse shqisat e tjera, si dëgjimi, nuhatja, apo prekja janë lënë thatë fare.

4. E ndiqni Parlamentin dhe ç’mendoni kur dëgjoni debatet mes deputetëve, ka ndonjë lidhje mes asaj që debatohet dhe interesit publik? Në Shqipëri nuk ekziston interesi publik, prandaj njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Është duet shumë i suksesshëm, i bashkërenduar me kujdes mes palëve. Njëra palë mbron hyneret e saj, tjetra bën sikur i ka harruar mëkatet e veta. Domino mes pleqsh ustallarë. Dopjo gjashta na ngeli neve si popull.

5. I përkisni fushës akademike, jeni një zë i fuqishëm në shoqërinë civile, si ndjeheni kur shikoni indiferencën e qytetarëve kundrejt nismave të ndryshme, ndërkohë që sheshet mbushen me mitingje partiake, kur janë kohët e fushatave?

Nuk e di nëse jam zë i fuqishëm apo i dobët, di që kam fol, kam shkruar, kam reaguar dhe vepruar gjithmonë, dhe do vijoj. Indiferenca ka vrarë shumë kombe. Ne s’kemi pse të bëjmë përjashtim. Për sa kohë nuk duam t’ia dimë se çfarë ndodh rreth nesh, vetëm çudira do dëgjojmë.

6. Reforma në drejtësi prej 1 viti është një nga çështjet më të rëndësishme në debatet politike. Sipas këndvështrimit tuaj, ishte e nevojshme që gjithë kjo kohë të harxhohej në debate mes dy apo tre aktorëve politikë, ndërkohë që qytetarët duken tërësisht të përjashtuar nga ky proces? Pse ka ndodhur kjo, ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik, atë që quhet prishje interesash, apo ka një hendek aq të madh të krijuar mes politikës dhe problemeve të përditshme të njerëzve me sistemin e drejtësisë?

Unë kam qenë nga personazhet e parë në publik që e ka mbështetur idenë e reformës, por kam kërkuar që grupet e interesit të ishin të pranishme në këtë proces. Një reformë politike e drejtësisë është pa diskutim një vazhdim i drejtësisë që kemi. Asgjë s’ka për të ndryshuar. Palët thjesht do akordohen me njëra-tjetrën, duke anashkaluar nevojtarin e madh, popullin. Elementi i vetëm pozitiv është ndërhyrja e miqve të huaj të Shqipërisë. Shpresojmë që ata të kenë marrë vendimin për ta pastruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ndryshe, rrahim ujë në havan.

7. Zoti Kristo si ndjeheni kur shikoni apo dëgjoni se x apo y politikan është filmuar në situata aspak normale, diku në një motel apo zyrë, duke kërkuar favore qoftë edhe për 1 vend pune? Pse sipas këndvështrimit tuaj hasen të tilla situata?

Kjo gjëmë është kolektive dhe nuk i përket vetëm politikës. Në të gjitha mjediset e jetës sonë ekziston ky aspekt, ku njerëzit me para, shpesh të ardhura përmes krimit, shfrytëzojnë mundësinë e punësimit për favore seksuale. Dhe kur flas për këtë, kam parasysh një situatë tragjike, njëlloj me ato situatat biblike. Ndaj, nuk më bëjnë fare përshtypje politikanët. Ata janë në krye të punëve seksuale të vendit. Këto situata vijnë nga varfëria dhe akumulimi i pushtetit të pakontrolluar në pak duar.

8. Nëse do të ishit sot Kryeministër i Shqipërisë, cila fusha do të kishit si prioritare? As në skutat më të errëta të trurit nuk e kam një dëshirë të tillë. Do të ishte marrëzi të luftoje me mullinjtë e erës në një shoqëri tejet të kriminalizuar. Megjithatë, si ushtrim mendor, mund të them se në vendin tonë mungon siguria. Kjo vjen nga një administratë e dobët dhe një polici e përdorur politikisht. Siguria nuk është vetëm fizike, ka shumë dimensione.

9. Po nëse do të ishit në krye të opozitës, çfarë do të bënit? Unë në fakt jam në krye të opozitës mendore. Bëra shaka. Në asnjë rast, nuk e kam idenë t’u mësoj klarinetën të tjerëve, siç ua mësonte italiani mjeshtërve shqiptarë te filmi. Por po të isha, nuk do të lejoja askënd të thoshte se këtu nuk ka opozitë, do t’ia mbyllja gojën me fakte. Opozita është vitaliteti i demokracisë.

10. Kur shikoni që një pjesë e konsiderueshme e të rinjve harxhojnë orë të tëra në lokale, kur mund ta harxhonin një pjesë të kësaj kohe bie fjala duke lexuar një libër apo duke u angazhuar në një projekt apo në një kauzë në të mirën e përbashkët, si ndjeheni?

Një jetë e pajetuar kthehet në një jetë të skllavëruar. Prandaj rinisë i priten krahët që në djep, që ajo të mos ëndërrojë. Dhe dija e kultura të bëjnë të ëndërrosh. Prandaj forumet rinore të partive nuk përpiqen për kulturimin e rinisë, por për të shtuar radhët e tyre me injorantë të tjerë, që shfrytëzohen dhe vërviten si limonë të shtrydhur. Unë ndihem si një plak që ka mbushur brekët dhe askush nuk e pastron.

11. Keni menduar ndonjëherë të dorëzoheni dhe të thoni boll më, do largohem nga Shqipëria?
Ndonjëherë? Gjithë kohës. Jam i bindur që kjo anije do mbytet. Është marrëzi të qëndrosh në të. Mbi 1/3 e shqiptarëve e kuptuan me kohë. Edhe 2/3 kanë mbetur. Por edhe ata po e kuptojnë me shumë shpejtësi dhe po reagojnë. Unë po pres kohën time.