Rrugëtimi i skuadrave shqiptare në Europë do të nisë mesditën e sotme, e para është ekipi kampion i Shqipërisë, Tirana që ka mësuar fatin e saj. Tirana do të ndeshet me kampionët e Luksemburgut, Dudelange. Ndërkohë Ballkani do të ndeshet me kampionin e Lituanisë, Zalgiris.
Fati i buzëqesh edhe Shkupit, kampiones së re të Maqedonisë së Veriut, që goglat i rezervuan si kundërshtrar Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, duke shmangur emra të tillë si: Qarabağ (AZE), Sheriff (MDA), Slovan Bratislava (SVK) dhe Shamrock Rovers (IRL). Edhe Shkupi, sikurse Ballkani, sfidën e parë do ta zhvillojë në shtëpi.
Dje bardheblutë njohën 5 rivalët e tyre të mundshëm Ludogorets (Bullgari), Ferencvaros (Hungari), Cluj (Rumani), Maribor (Slloveni) dhe Dudelange (Luksemburg). Sot goglat zgjodhën Dudelangen. Ndeshja e parë do luhet në Luksemburg, ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë.
Vetëm 60 minuta më vonë, para ekranit do të vendosen klubet e Laçit dhe Partizanit, që do të presin me kërshëri shortin për turin e parë eliminator të UEFA Conference League.
Bardhezinjtë do të peshojnë njërën mes 5 skuadrave si Sfintul George, Ruzomberog, Dila Gori, Iskra Danilovgrad dhe Gjilanit, teksa një derbi me klubin dardan do të ishte vërtetë interesant dhe i pari në nivel europian.
Një derbi shqiptarësh mund të rezervojë fati edhe për Partizanin, që mund të “peshkojë” Deçiçin e Tuzit, teksa në listën e kundërshtarëve të mundshëm janë edhe Saburtalo, Ararat, Tuzla dhe Floriana.
Vetëm një ditë më vonë, më 15 qershor, do të mësojë kundërshtarin e mundshëm edhe Vllaznia, që e nis aventurën europiane nga turi i dytë eliminator i Conference League.