Tirana pati fat të madh në Champions, stadiumi i Dudelange sa çereku i “Selman Stërmasit”

8 muaj më parë
Tirana pati fat të madh në Champions, stadiumi i Dudelange sa çereku i “Selman Stërmasit”

Në një grup skuadrash me emra mjaft të njohur si Ferencvaros apo Ludogorets, Tirana ia doli të ‘peshkojë” më të mirën e mundshme, pikërisht F91 Dudelange, skuadër modeste nga Luksemburgu. Sfida e parë e kampionëve të Shqipërisë do të luhet në transfertë në datën 5 ose 6 korrik ,teksa vetëm 6 ditë më vonë do të luhet edhe ndeshja e kthimit, pikërisht në “Air Albania”, në kryeqytetin shqiptar.

Po kush është kundërshtari i Tiranës? Ashtu siç e tregon edhe në emër, F91 Dudelange është themeluar në vitin 1991 në qytetin luksemburgas të Dudelange, teksa bëhet fjalë për një shkrirje të tre ekipeve të këtij qyteti, që zgjodhën të përfaqësohen në një të vetëm.

Ndonëse u deshën pak vite për t’u ngritur, Dudelange fitoi titullin e parë kampion në sezonin 1999-2000 dhe që atëherë numëron plot 16 tituj në Luksemburg, si dhe 8 Kupa, duke u bërë padyshim ekipi më i suksesshëm vendas, në mijëvjeçarin e tretë.

F91 Dudelange shkroi historinë në sezonin 2005-2006, duke u bërë e para skuadër nga Luksemburgu, që kalon në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, sukses të cilin e përsëriti edhe në sezonin 2011-2012, ndërsa një vit më vonë shkoi deri në turin e tretë, maksimumi që ka arritur në këtë kompeticion.

Periudha më e artë për klubin nga Luksemburgu ka qenë padyshim ajo 2018-2020, ku për dy sezone radhazi ia doli të kualifikohet për në grupet e Europa Leagues, duke u përballur me kundërshtarë si Milan, Betis, Olympiacos, Sevilla, etj.

Që prej korrikut të 2020-ës, skuadra drejtohet nga portugezi Carlos Fangueiro dhe ka në përbërje kryesisht futbollistë vendas e francezë, por nuk mungojnë as portugezët, belgët, një kroat e një maroken.

Dudelange i luan ndeshjet në stadiumin e qytetit, i cili mban emrin “Jos Nosbaum” dhe ka një kapacitet prej 2500 tifozësh, teksa pikërisht aty do të zbresë në fushë edhe Tirana, për sfidën e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve.