Tjetër shkollë mbyllet në Shqipëri, kanë mbetur vetëm dy fëmijë

9 muaj më parë
Tjetër shkollë mbyllet në Shqipëri, kanë mbetur vetëm dy fëmijë

Viti i ri shkollor pati numrin më të ulët të regjistrimeve në bashkinë e Mirditës, çka ka bërë që dhe ata pak nxënës që ishin në fshatra të vijonin mësimin në 2 shkollat 9-vjeçare në rrëshen, duke rritur kështu kostot financiare për familjet e tyre.

Siç duket zona është mjaft e zhvilluar por emigrimi i të rinjve dhe largimi i shumë familjeve drejt zonave urbane ka ulur ndjeshëm numrin e të rinjve në këtë fshat duke bërë që dhe numri i nxënësve në shkolla të ulet ndjeshëm duke çuar deri në mbylljen e saj.

Ndodhemi në shkollën 9-vjeçare të Prosekut vetëm 7 km larg qytetit të Rrëshenit, e cila ka funksionuar vetëm 2 ditët e para të këtij Viti shkollor, por mungesa e nxënësve ka bërë që edhe kjo shkollë të mbyllet.

Edhe pse ende nuk është bërë me dije numri total i nxënësve në sistemin para universitar, numri pritet të jetë më i ulët.

Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka pësuar ulje të ndjeshme në pesë vitet e fundit. Në sistemin arismor 9-vjeçar kemi rreth 13% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2017-2018 u regjistruan 319 mijë nxënës, në vitin 2021-2022 ishin 278 mijë, pra 41 mijë nxënës më pak ndoqën arsimin bazë.

Edhe nëse përmendim regjistrimet për shkollat e mesme, ulja vazhdon prej vitesh. Nga viti shkollor 2017-2018, deri në vitin shkollor 2021-2022 kemi një rënie me rreth 17 mije nxënës më pak, ose 14.2% ulje. Nga 120 mijë nxënës numri është ulur në 103 mijë nxënës që ndjekin gjimnazin në shkallë vendi.