Tregtonin mallra kontrabandë në 5 dyqane në Tiranë e Durrës, futen në qeli dy persona

1 javë më parë
Tregtonin mallra kontrabandë në 5 dyqane në Tiranë e Durrës, futen në qeli dy persona

Policia ka vënë në pranga 2 persona dhe proceduar 6 të tjerë, pasi tregtonin mallra kontrabanë në Tiranë dhe Durrës. Në kuadër të operacionit të koduar “Shops” u kapën shtetasit Juli Xhaja dhe Myrteza Qafoku.

Njoftimi zyrtar: Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Shops”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë. Tregtonin mallra të kontrabanduara, në 5 dyqane të ndryshme në Tiranë dhe Durrës, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 6 të tjerë.

Sekuestrohen mallrat e ndryshme të dyshuara të kontrabanduara. Specialistët, pas një pune të mirëfilltë hetimore, si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shops”, në kuadër të të cilit u kapën në flagrancë shtetasit: J. Xh., 52 vjeç dhe M. Q., 64 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetaset D. H., 21 vjeçe, B. G., 22 vjeçe, K. D., 22 vjeçe dhe G. G., 23 vjeçe, të treja banuese në Tiranë, si dhe E. M., 44 vjeçe e A. K., 27 vjeçe, të dyja banuese në Durrës.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi J. Xh. administronte 5 dyqane të ndryshme, 3 në Tiranë dhe 2 Durrës, ekonomist i të cilëve ishte shtetasi M. Q. dhe punëtore ishin shtetaset D. H., B. G., K. D., G. G., E. M. dhe A. K.

Gjatë kontrollit, në këto subjekte u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, produkte të ndryshme, si çanta, veshje, syze dhe parfume, të dyshuara të kontrabanduara. Kontrolli në dyqanin në Durrës, si dhe veprimet e tjera procedurale për këtë subjekt tregtar, janë kryer në bashkëpunim me DVP Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.