U rindërtua pas tërmetit, hyjnë banorët e parë në pallatin e VIP-ave në Durrës

1 javë më parë
U rindërtua pas tërmetit, hyjnë banorët e parë në pallatin e VIP-ave në Durrës

Prej disa ditësh, pallatit të “Vip-ave” në Durrës po i kthehen banorët. Shumë familje janë futur godinë, pavarësisht se punimet nuk kanë përfunduar akoma.

Të tjera presin të bëjnë paraprakisht punimet e nevojshme dhe më pas të futen në apartamentet e reja. Jashtë kamerës, banorët, të pyetur nga “DurrësLajm”, thonë se kanë kryer shumë punime shtesë.

Prej tyre mësojmë se zyrtarisht nuk është bërë ende dorëzimi i apartamenteve. Ndërkohë ashensori, nuk është vënë në funksion.

Sipas banorëve, matësat e ujit dhe energjisë elektrike nuk janë lidhur, ndërkohë që në disa raste ata kanë rënie të automatit dhe ndërprerje të energjisë.

Një shqetësim më vete për ta mbetet një derë pas së cilës ndodhet zgavra ku kalon rrjeti i energjisë elektrike dhe tubacionet e ujit të pijshëm.

Dera ndodhet në çdo kat shumë pranë ashensorit dhe nuk ka çelës. Ajo mund të kthehet në rrezik potencial për fëmijët.

Pallati i “Vip-ave”, në lagjen nr.11 është i pari pallat i rindërtuar nga e para. Ai u shemb në qershor 2020, pas dëmtimeve të shumta prej tërmetit. /Durreslajm.com