Filmat shqiptarë na kthejnë gjithmonë pas në kohë dhe na sjellin kujtime mjaft të bukura si dhe na ndihmojnë të bëjmë një ballafaqim me të kaluarën tonë.
Mirëpo përveçse janë filma me mesazhe të bukura, aktorët tanë kanë qënë goxha simpatikë. Me tipare tipike shqiptare, fytyra me prerje të egër dhe shikim të mprehtë, aktorët që do t’iu paraqesin më poshtë janë konsideruar si disa ndër aktorët më të bukur të kinematëgrafisë shqiptare.
Gjithsesi përveç këtyre aktorëve që ne kemi renditur këtu, ju patjetër mund të keni edhe preferenca të tjera, pasi siç kemi qejft t’i themi pak vetes tonë, jemi një racë goxha e pashme.
1.Timo Flloko ka qenë ndër aktorët më të bukur shqiptarë, fama e të cilit shkoi deri në Amerikë ku jetoi për 7 vite dhe arriti të futet në botën e Hollivudit. Timo e nisi karrierën si aktor që 19 vjeç dhe u kthye shpejt në yllin e kinematografisë shqiptare. Ai ka luajtur në filma si “Malet me blerim mbuluar”, “Shtigje lufte”, “Lulëkuqet mbi mure” e shumë të tjerë.

2.I pashëm, me flokë kaçurrelë dhe tipare të errëta, Xhevdet Ferri ka qenë dhe mbetet ndër aktorët më të dashur për publikun. Me rolin e Trimit tek “Përrallë nga e kaluara”, Xhevdet Ferri tërhoqi vëmendjen e të gjithë vajzave. Ai ka luajtur edhe në shumë filma të tjerë të njohur si “Delegacioni”, “Koha e kometës”, “Treni niset në 7 pa 5” e të tjerë.

3.Po ashtu edhe Gëzim Rudi ka qenë dikur fiksimi i vajzave. Aktori me flokët kaçurrela kishte një pamje shumë tërheqëse dhe vazhdon ta ketë edhe sot e kësaj dite. Ai ka luajtur në filma të njohur si “Hije që mbeten pas”, “Muri i gjallë”, “Një ditë nga një jetë” e shumë të tjerë.

4.Teksa aktorët e mësipërm kishin pamje mesdhetare, Viktori Zhusti ishte një bukuri krejt tjetër. Vajzat çmendeshin pas syve bojëqielli të Viktorit i cili edhe sot e kësaj ditë vazhdon të jetë një aktor shumë tërheqës. Viktori Zhusti ka luajtur në filma si “Malet me blerim mbuluar”, “Kur xhirohej një film”, “Nëntori i dytë” etj.

5.Edhe Andon Qesari ka qenë ndër aktorët më të pashëm shqiptarë. Pamja e tij karakterizohej nga shikimi i vrëngët dhe burrëror. Ai ka mbi katër dekada në skenë dhe ekran duke luajtur në shumë filma ku përmendim “Gjurma”, “Pylli i lirisë”, “Tela për violinë”.

6.Nuk mund të harronim as Alfred Bualotin, një nga aktorët më simpatik shqiptarë i cili e filloi karrierën me rolin e Vlashit në filmin “Pylli i lirisë”. Edhe sot e kësaj ditë Alfredin e thërrasin Vlashi dhe ndonëse kanë kaluar shumë vite, ai mbetet një burrë i pashëm. Ndër filmat e tij më të njohur janë “Njeriu me top”, “Dy herë mat”, “Tela për violinë”.

7.Në këtë listë bën pjesë edhe aktori i njohur i skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, Gjergj Lala. Gjergji ka luajtur në filmat “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Gjurmë në kaltërsi” e shumë filma të tjerë shqiptare e italianë.


8.Shumë simpatik ka qenë edhe aktori Ardian Cerga, i njohur për rolet në filmat “Pranvera s’erdhi vetëm” apo “Mësonjëtorja”. Ardiani edhe sot e kësaj dite mbetet ndër aktorët më tërheqës dhe shumë të pëlqyer sidomos nga gjinia femërore.

9.Aktor tërheqës ka qenë dhe mbetet edhe Mevlan Shanaj. Dikur ishte shumë i pëlqyer nga vajzat, por edhe sot të gjithë habiten që ai është tek të 70-tat pasi vazhdon të duket i ri dhe shumë energjik. Mevlani ka luajtur në filma shumë të njohur si “I teti në bronz”, “Malet me blerim mbuluar”, “Pranvera s’erdhi vetëm” etj.

10. Artan Imami vazhdon edhe sot të jetë një burrë shumë i pashëm. Artani ka luajtur në filma të njohur shqiptarë si “Me hapin e shokëve” apo “Nata e parë e lirisë”.

11.Sot rreth të 80-tave, por dikur edhe Rikard Ljarja ka qenë një ndër aktorët më bukurosh shqiptarë. Rikardi ka luajtur në filmat e njohur “Komisari i dritës”, “Duel i hedhur”, Rrugë të bardga” në rolin e Dedës etj.

12. Guljelm Radoja ka qenë po ashtu ndër aktorët më simpatikë, në pamjen e të cilit bie në sy shikimi i mprehtë. Roli i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma”. Guljelm ka luajtur edhe në shumë filma të tjerë si “Shtigje lufte”, “Gëzhoja e vjetër”, “Flutura në kabinën time, “Mësonjtorja”, “Gjeneral gramafoni”.

13.Shumë i pashëm në atë kohë ka qenë edhe aktori Zef Bushati i cili ka interpretuar në filmat “Shtigje lufte” në rolin e një kapiteni italian, “Udhëtim në pranvere”, “Shoku ynë Tili”, “Njeriu me top” etj.
