Pasi u shenjtërua si portieri më i mirë në Serinë A sezonin e kaluar, ka ardhur koha që Maignan të pushtojë edhe portën e kombëtares franceze, territorin – prej vitesh tashmë – të Hugo Lloris.
Megjithatë, portieri i Tottenham u largua para kohe nga grumbullimi i Clairefontaine. Pa të, do të jetë Maignan ai që do të futet në fushë si titullar për ndeshjet e radhës të bluve në Ligën e Kombeve.
Raphael Varane, mbrojtësi me përvojë i Manchester United dhe kombëtares franceze, foli sot në konferencën për shtyp dhe foli për portierin kuqezi si më poshtë: “Maignan është një portier që sjell qetësi, si dhe ka shume aftësi në portë.
Ai është një person i qetë, i sigurt në forcat e tij dhe është e vërtetë që si mbrojtës është e rëndësishme të ndjesh këtë prani prapa. Nuk është vetëm potenciali që ka, por edhe prezenca që ka në portë”.
Edhe trajneri foli për Magic Mike, sërish në një konferencë për shtyp. Deschamps tha: “Mike tashmë sezonin e kaluar tregoi besim dhe një nivel shumë të lartë të performancës te Milan, ashtu si Lloris.
Nuk mund të ankohem për mungesën e Hugos, do të jetë një mundësi për Mike që të fitojë përvojë ndërkombëtare. Ai tashmë ka disa ndeshje, ka qenë shpesh me ne edhe pse nuk ka dalë gjithmonë në fushë. Është një gjë e mirë, është privilegj për mua të kem portierë kaq të mirë”.