Zbulohet e vërteta skandaloze që fshihet me eksperimentin “punëtorë nga Bangladeshi” në Shqipëri

8 muaj më parë
Zbulohet e vërteta skandaloze që fshihet me eksperimentin “punëtorë nga Bangladeshi” në Shqipëri

“Ata që e propozuan dhe na e sugjeruan këtë biznes, besoj se qysh në fillim nuk u nisën për të sjellë punëtorë, por për të sjellë emigrantë për të kaluar kufirin. Kjo bindje më është krijuar mua sepse ata largoheshin dyshe-dyshe, njëri pas tjetrit, pra ishte shumë e orientuar dhe e strukturuar gjëja. Ishte një orientim i organizuar trafikimi njerëzish”, – thotë në një intervistë për kanalin MCN, përfaqësuesi i biznesit, Alban Zusi, që ka qenë ndër kërkuesit dhe negociatorët e idesë së “punëtorëve nga Bangladeshi” për të zëvendësuar ikjen masive të shqiptarëve nga vendi.

Zusi pranon se “punëtorët nga Bangladeshi” e kanë përdorur Shqipërinë thjesht si trampolinë për të kaluar në Europë dhe shprehet se i gjithi ka qenë një eksperiment i dështuar.

Më 31 mars 2021, kryeministri Edi Rama foli për punëtorët nga Bangladeshi në Shqipëri dhe tha se janë zgjidhja më e mire për të plotësuar krahun e punës në vend për shkak të ikjes masive të shqiptarëve.

“I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia, jo më the të thashë”, u shpreh Rama.

Ai foli edhe për kushtet në të cilat do të punonin këta punëtorë dhe tha se mjafton t’iu jepet një vend për të fjetur dhe ushqim.Qeveria ndryshoi në Kuvend edhe ligjin për të huajt, duke u shprehur se ishte thjeshtësuar shumë dhe ishin hequr  procedurat e tmerrshme.

“Ne e kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë, nuk ka fare më ato procedurat e tmerrshme. 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj dhe po të them me këtë pagë që ke ti e ke të garantuar, kanë filluar të marrin edhe të tjerët,  punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Pakistani, India”, u shpreh Rama në atë kohë.