Zot na ndihmo! Shqipëria nën ujë, pas Tropojës, Fieri e Lushnja nën mëshirën e ujërave

6 muaj më parë
Zot na ndihmo! Shqipëria nën ujë, pas Tropojës, Fieri e Lushnja nën mëshirën e ujërave

Vendi është në një situatë mjaft të vështirë nga moti i keq. Reshje në formë stuhie e rrebeshe, rrezikojnë përmbytje në disa qytete të vendit. I pari që dha alarmin, ishte kryetari i bashkisë së Tropojës Rexhe Byberi.

Ai bën apel që institucionet të kenë një vëmendje të shtuar, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes, nga reshjet të cilat vijojnë në zonë prej 2 ditësh. Ndërkohë bashkia e Lezhës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale informoi qytetarët se reshjet e dendura të shiut, të parashikuara gjatë fundjavës, mund të krijojnë probleme të ndryshme për qytetarët.

Për shkak të motit të keq është dëmtuar linja e rrjetit të tensionit të mesëm në Fierzë. OSHEE njofton se ka nisur puna për rregullimin e avarisë.Reshjet e shiut kanë përmbytur akset rrugore në qytetin e Lushnjës të cilat kanë arritur një nivel prej rreth 30 cm. Dhe në Fier situata paraqitet e njëjtë.

Era e fortë dhe deti me fuqi deri në 8 ballë në det të hapur ka bërë që ditën e sotme të pezullohet lundrimi nga kapiteneria Vlorë për mjetet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese.

Situata e motit të keq ka prekur edhe zonën e Fushë Arrëzëz. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë rrugët janë të pakalueshme për në Fierzë, Blerim dhe Iballë për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Në Malësinë e Madhe është bllokuar aksi Tamarë-Vukël dhe rruga për në Vermosh nga rrëshqitja e dherave. Moti i keq ka përfshirë zonën prej mbrëmjes së djeshme. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në zonë si në bllokimin e rrugtëve nacionale.

LUSHNJE- Moti i keq ka prekur edhe qytetin e Lushnjes. Në pak orë disa rrugë janë përmbytur e të tjera janë bërë të pakalueshme. Pritet që situata të përmirësohet në orët në vijim. Ndërkohë problematika ka pasur në Tropojë, Elbasan, Fier dhe Pukë. Moti pritet të përmirësohet ditën e nesërme në orët e vona të darkës.